Teatri Metropol në bashkëpunim me Tirana European Youth Capital (TEYC 2022) dhe Kongresin Rinor Kombëtar prezanton projektin e ri artistik, festivalin MetroSound – “Jehonë Arbëreshe”, i cili do të sjellë për publikun muzikën, traditën, gjuhën dhe kërkime e hulumtime mbi kulturën arbëreshe.

MetroSound – “Jehonë Arbëreshe” do të zhvillohet në Teatrin Metropol në datat 10, 11, 12 dhe 17, 18, 19 mars, ku për disa netë me rradhë do të organizohen takime mbi kërkime etnomuzikologjike, antropologjike, do të organizohen koncerte e takime muzikore të ndryshme, të cilat vijnë në dimensione jo vetëm të botës muzikore World Music, por shkojnë edhe përtej idesë së përkufizimit në një zhanër.
Ky takim i mbështetur tërësisht mbi kulturën Arbëreshe, si një homazh për kulturën muzikore arbëreshe, vjen në drejtimin artistik të pianistit,multiinstrumentistit dhe kompozitorit, Robert Bisha, i cili prej vitesh jeton në Itali.“A është muzika diçka e veçantë që asnjë art tjetër nuk ka mundësi t’a bëjë?! Kjo është pyetja që do të na shoqërojë në këtë udhëtim muzikor.

“Jehonë Arbëreshe” , është një projekt, i cili po organizohet për të hapur gjithnjë e më shumë dimensione të tjera koncert pas koncerti dhe për t’i dhënë mundësinë publikut të jetë totalisht pjesë e këtij evenimenti tematik. Çdo natë do të ketë takime koncertore me artistë nga Shqipëria, Kosova, Italia dhe Franca, ku të gjitha janë dedikuar si një homazh për kulturën muzikore arbëreshe”, shprehet Robert Bisha. Ky projekt do të zgjasë për gjashtë netë me rradhë dhe më poshtë do të gjeni të detajuar edhe programin:
Programi i “Jehonë Arbëreshe”
10 mars, ora 19:00
Takim me Nikola Scaldaferri

Fjalë hapëse nga Dafina Peci, drejtore ekzekutive e Kongresit Rinor Kombëtar
Dita e parë është menduar si një takim mes studiuesish, etnomuzikologësh e antropologësh, ku kryefjala e këtij eventi është etnomuzikologu Nicola Scaldaferri, kompozitor dhe profesor në universitetin e Milanos dhe pikë referimi nga etnomuzikologët shqiptar. Gjatë këtij takimi ku do të ketë diskutime të ndryshme mbi kulturën, gjuhën dhe muzikën arbëreshe, do të shfaqen edhe shumë video me fragmenteve mbi jetën arbëreshe. Takimi do të moderohet nga drejtori artistik i këtij projekti, pianisti dhe kompozitori Robert Bisha. Nicola Scaldaferri është i njohur për kërkimet e tij etnomuzikologjike, të cilat janë të çmueshme jo vetëm në kultet e ndryshme shqiptare apo të diasporës tonë por edhe në shume hapësira gjeografike dhe muzikore. Janë sot objekte të mirëfillta studimi në universitetet evropiane të etnomuzikologjisë. Scaldaferri është një karakter I spikatur, observues i vëmendshëm dhe rebel në përzgjedhjet e tij kërkimore.

11 mars, ora 19:00
Koncert – Polifonia Arbëreshe, Gruppo Vocale femminile Lule Sheshi di San Costantino Albanese, Itali
Ditën e dytë do të ngjitet në skenë kori polifonik i vajzave arbëreshe, “Lule Sheshi” kor i udhëhequr nga M° Scaldaferri por dhe siç e do tradita, nga nënat apo të afërmit e tyre. Janë pesë vajza të reja që këndojnë me shumë pasion dhe çiltërsi polifoninë e gjyshërve të tyre, polifoninë e tyre arbëreshe shumë të pasur dhe me influenca bizantine, por dhe kujtime nga polifonia që karakterizonte shqiptarët në vitet 1400. Kjo polifoni është ruajtur dhe trashëguar nga ky kor I vajzave, të cilat do të sjellin në Teatrin Metropol një koncert të rrallë, duke përçuar botën arbëreshe.
12 Mars, ora 19:00
Koncert – Trio Samaïa nga Franca
Një trio vokale Samaia, e cila vjen nga Parisi do të ngjitet në skenën e Teatrit Metropol gjatë natës së tretë të “Jehonë Arbëreshe”. Është një trio dinamike vazjash, të cilat sjellin me plot muzikalitet dhe emocione, këngë nga Mesdheu të kënduara në gjuhët origjinale dhe me mjeshtëri të arranzhuara dhe të luajtura në instrumenta tradicionale. Kjo trio vajzash, interpretojnë muzika të popujve të ndryshëm dhe kanë një pasion të përbashkët, siç janë mikro- kulturat në botë.
17 mars, ora 19:00
Koncert – Paolo Angeli , Solo Guitar me projektin “JAR’A” nga Italia
Kjo natë ndryshe nga netët e mëparshme, shkëputet nga polifonia vokale, dhe I dedikohet kryesisht muzikës instrumentale. Kitaristi, improvizuesi dhe kompozitori Paolo Angeli do të prezantoj në Teatrin Metropol projektin e tij të fundit “JAR’A”. Ai bën kërkime 360° mbi muzikën mesdhetare, të folkut të pasur të Sardenjës, e cila duket si një orkestër që shkon në të gjitha drejtimet që dëshiron. Stilemat e përvetsuara të zhanrit universal të muzikës jazz e bëjnë Paolo Angelin një krijues të veçantë në botën e kitarës sot. Gjithashtu gjatë koncertit të tij, kitaristi Paolo Angeli do ti dedikoj një pjesë të veçantë si homazh kulturës muzikore arbëreshe.
18 mars, ora 19:00
Koncert – Robert Bisha , piano solo “Nostalgjia Arbëreshe” Shqipëri- Itali
Robert Bisha, pianisti, multiinstrumentisti dhe kompozitori Robert Bisha do të ngjitet në skenën e Teatrit Metropol me një koncert në Piano Solo, një homazh intim mbi kulturën arbëreshe. E ka titulluar “Nostalgjia Arbëreshe” për të cilin ka përgatitur partitura enkas për këtë projektnën një përshkrim poetik dhe nostalgjik. Robert Bisha ka zgjedhur serenatat e famshme arbëreshe, polifoninë underground dhe influenca kishtare byzantine për ti sjell gjatë koncertit. Ngjyrosjet harmonike dhe transfigurimi ritmiko- melodik janë karakteristika të veçanta në koncertet e Robert Bishës. I gjithi nën dritën e ngrohtë të skenës, një homazh ëndrrës arbëreshe.

19 mars, ora 19:00
Koncert – Kolektiv – Score for Arbëresh, polifoni dhe serenata nga Shqipëria, Italia dhe Kosova
Nata e fundit përmbyllëse e projektit “Jehonë Arbëreshe” do të ngjis në skenën e Teatrit Metropol një grup artistësh “Kolektiv- Score for Arbëresh” të drejtuar nga Robert Bisha, me pjesëmarrje nga artistë shqiptar dhe Italian. Janë artistët Agona Shporta vocal, Anastasia Skënderaj, soprano, Stefano Dalla Porta në kontrabass, Simone Sferruzza, në drum dhe electronics, Robert Bisha, piano, kitar, kompozim, ku simbolikë të këtij koncerti kanë zgjedhur gjithashtu homazh mbi kulturën arbëreshe. Partiturat e kompozuara posaçërisht për momente koncertore me rëndësi kërkimore si dhe për momente feste, ku hareja përcjell publikun drejt një tjetër dimensioni tipik i disa fshatrave arbëreshe. Këngët e famshme të arranzhuara dhe kënduara me optiken kolektive përtej idese soliste, e cila do të zërë gjithmonë e më pak vend.

MetroSound – “Jehonë Arbëreshe”

-

Partnerët tanë