“Metrofest 5 – Drama shqipe si formë njohjeje dhe kërkimi”

Për të pestin vit me radhë, Teatri Metropol organizon festivalin dedikuar veprës shqiptare të arkivit. Puna për realizim ka nisur në muajin tetor, ndërsa muaji nëntor do të jetë muaji në të cilin do të nisë premiera e pare dhe data 9 dhjetor do të jetë mbyllja e këtij realizimi që i përket trashëgimisë dramatike, teatrit dhe edukimit.
Në këtë edicion janë përzgjedhur për t’u vendosur në skenë larmi tekstesh që i përkasin viteve 1900 dhe jo vetëm: në datën 4-7 nëntor 2021, ora 19:00 do të shfaqet “Kapterr Behari” me autor dhe regji nga Stefan Çapaliku; 11-14 nëntor 2021, ora 19:00, komedia zbavitëse “Luloja” botuar më 1922 nga Dhori Kote e në regjinë e Blendi Arifit; 18- 21 nëntor 2021, ora 19:00 do të jetë shfaqje përshëndetëse komedia “Sot tetë ditë” me autor Josip Relën në 1932 dhe regji nga Elona Hyseni; Në datat 25-28 nëntor 2021 do të prezantohet ajo që njihet si drama e parë e absurdit në shqip “Gof” me autor Anton Pashku dhe përpunim tekstor dhe regjia nga Shkëlzen Berisha; në data 4-5 dhjetor 2021 do të jetë një ekspozitë e pikturës dhe shfaqja e monodramës me titull “Duan të fluturojnë” e autorit Lekë Tasi, në regjinë e Klesta Sheros; Ndërsa pikëtakimi final i këtij edicioni do të jetë në datën 9 dhjetor 2021 me prezantimin e krijuar në punë laboratorike të skicës dramatike “Roli i Lule-Borës” botuar në 1932 me regji nga Sonila Kapidani dhe koreograf Erdet Miraka. Një tryezë bisedë do të zhvillohet mbi Zërin, Praninë dhe Lëvizjen në punën e aktorit.

Imagjinoni ç’mund të ndodhë nëse takohen autorë të një kohe më të vjetër dhe krijues të rinj me një mori spektatorësh teatri që argëtohen dhe mbështesin … emocionohen, reflektojnë, shkëmbejnë të qeshura, lot, ide, bashkëndajnë njerëzillëk dhe premtojnë vazhdimësi!
Lajmëroni miqtë, ju mirëpresim!

4 Nëntor – 9 Dhjetor 2021 në Teatri Metropol – Qendra Kulturore Tirana

Info & Rezervime
☎️ +355 67 227 0668

#metrofest #teatrimetropol

Gjatë këtyre pesë viteve janë lexuar rreth 70 vepra shqiptare të arkivit që kanë qenë kryesisht të njohura si letërsi dramatike dhe janë vënë në skenë 20 prej tyre, të shkruara nga autorët Martin Camaj, Ernest Koliqi, Shpëtim Gina, Kristo Floqi, Lazër Lumezi, Halil Laze, Milo Duçi, At Zef Pllumi, Lumo Skëndo, Minush Jero, Jeronim De Rada, Kristë Berisha, etj. Në këto 5 vite janë angazhuar 115 artistë nga të gjitha brezat; janë tashmë dy pamje të teksteve – origjinali dhe përpunimet; janë bërë disa programe si vazhdimësi në shkolla për të rinjtë që të njihen me
trashëgiminë tonë dramatike si edhe është bërë një botim nga tryeza e rrumbullakët.

Metrofest 5

Drama shqipe si formë njohjeje dhe kërkimi

-

Media

Partnerët tanë